Secondary Adv

96 organizata i kërkojnë Kuvendit rishikimin e ligjit për zonat e mbrojtura

Organizatat e shoqërisë civile kërkojnë moratorium për investimet dhe përafrim me standardet e Bashkimit Europian.

Nëntëdhjetë e gjashtë organizata të shoqërisë civile i janë drejtuar Kuvendit të Republikës së Shqipërisë me një kërkesë për rishikimin me prioritet të politikave që lidhen me zonat e mbrojtura. Nisma vjen pas zhvillimeve të fundit në zonën e mbrojtur Pishë-Poro Nartë dhe si vazhdim i kundërshtimeve që organizatat kanë shprehur ndaj ndryshimeve të miratuara në vitin 2024 në ligjin nr. 81/2017 “Për zonat e mbrojtura”.

 

Sipas organizatave, pavarësisht komenteve dhe kundërshtimeve të paraqitura gjatë procesit të konsultimit, Kuvendi miratoi në shkurt 2024 ndryshimet ligjore, të cilat sipas tyre po krijojnë kushte për dëmtimin e zonave të mbrojtura, mungesë transparence në vendimmarrje, anashkalim të strukturave mjedisore dhe përplasje me komunitetet lokale.

 

Shqetësimet për zonën Pishë-Poro Nartë

Organizatat e konsiderojnë rastin e investimit në zonën qendrore të Peizazhit të Mbrojtur “Pishë Poro – Nartë” si shembullin më të fundit të pasojave që, sipas tyre, kanë ardhur si rezultat i ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura.

 

Pas një analize të procesit të vendimmarrjes mjedisore dhe të ndikimit që këto zhvillime mund të kenë në procesin e integrimit europian të Shqipërisë, organizatat kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga Kuvendi.

 

Tre kërkesat kryesore

Në letrën drejtuar Kuvendit, organizatat kërkojnë shfuqizimin e menjëhershëm të dispozitave të miratuara me ligjin nr. 21/2024, nisjen e një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës për përafrimin e plotë të ligjit “Për zonat e mbrojtura” me standardet e Bashkimit Europian, si dhe vendosjen e një moratoriumi për lejet e reja turistike dhe infrastrukturore në zonat e mbrojtura deri në harmonizimin e plotë të legjislacionit me standardet europiane dhe ndërkombëtare.

 

Sipas organizatave, këto kërkesa mbështeten në tre shqetësime kryesore: rrezikun që ndryshimet ligjore të ndikojnë negativisht në procesin e integrimit europian, kostot afatgjata që mund të sjellin investimet në zonat e mbrojtura dhe mungesën e pjesëmarrjes publike, transparencës dhe llogaridhënies në vendimmarrjen mjedisore.

 

Apel për përgjegjësi institucionale

Organizatat kujtojnë se Kuvendi ishte institucioni që inicioi dhe miratoi ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura gjatë vitit 2024. Për këtë arsye, ato vlerësojnë se Kuvendi ka një përgjegjësi të rëndësishme institucionale për të adresuar pasojat e këtij vendimi dhe për të garantuar që zonat e mbrojtura të Shqipërisë të menaxhohen në përputhje me standardet e Bashkimit Europian dhe parimet e Bashkimit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN).

 

Sipas organizatave, mbrojtja e këtyre zonave është e lidhur jo vetëm me ruajtjen e biodiversitetit dhe burimeve natyrore, por edhe me përmbushjen e detyrimeve që Shqipëria ka në kuadër të procesit të integrimit europian.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat